Një konflikt i nisur gjatë paradites së djeshme në qytetin e Tepelenës mes disa personave, është përshkallëzuar pas mesnate, duke shkaktuar plagosjen e tre personave. Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:00, pranë një lokali në qytet.
Sipas informacioneve paraprake, persona të përfshirë në këtë konflikt kanë mbërritur në vendngjarje me tre automjete tip fuoristradë dhe kanë hyrë në ambientet e lokalit. Aty është shënuar një përleshje fizike, ku janë përdorur grushte, shkelma, armë të ftohta si dhe mjete të forta, përfshirë shkopinj bejsbolli.
Të plagosurit janë dy vëllezër, të moshave 41 dhe 39 vjeç, si dhe kushëriri i tyre 46-vjeçar. Menjëherë pas incidentit, ata janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë shpallur në kërkim nga policia, e cila po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e tyre. Megjithëse raportohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta, shkaku i saktë i përplasjes mbetet ende nën hetim. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse policia kishte dijeni për përplasjen e paradites dhe nëse ishin ndërmarrë masa për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Përditësime
Policia e Shtetit ka saktësuar se përplasja fizike në Tepelenë ka ndodhur në orën 00:30, duke korrigjuar raportimet e mëparshme për orën 01:00. Të plagosurit, banorë të zonës, janë identifikuar si A.B. (39 vjeç), E.B. (41 vjeç) dhe M.B. (46 vjeç). Grupi hetimor ka përfunduar zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.
Policia e Shtetit ka identifikuar 5 autorët e dyshuar për përplasjen fizike në Tepelenë, ku mbetën të plagosur tre persona. Në kërkim janë shpallur shtetasit: R. Ç. (23 vjeç), Sh. Ç. (22 vjeç), A. Ç. (30 vjeç), A. Ç. (58 vjeç) dhe H. Ç. (43 vjeç). Grupi hetimor konfirmoi se gjatë incidentit, i cili ndodhi në orën 01:10, autorët qëlluan edhe me armë zjarri në ajër, duke korrigjuar kështu raportimet e mëparshme mbi orarin e ngjarjes.