Prej mëngjesit të sotëm, Himara është përfshirë nga reshje me intensitet shumë të lartë, që kanë bërë të dalin nga shtrati përrenjtë dhe të përmbyesin rrugë si dhe mjedise të tjera.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje të banesave, rrugëve dhe oborreve në Qeparo. Situata paraqitet më e vështirë në lagjen Valta.
Kreu i Bashkisë Vangjel Tavo bëri të ditur se "intensiteti i lartë i reshjeve, në një kohë shumë të shkurtër, e bëri të pamenaxhueshme gjendjen dhe përballimin e ujit nga infrastruktura kulluese". Ai shtoi se "jemi të gjithë në krye të detyrës për të punuar në normalizimin e gjendjes, riparuar dhe ç'bllokuar kanalet e bllokuara nga dheu dhe materialet inerte që kanë sjellë vërshimet e përrenjve".
Ndërprerja e reshjeve ka ulur intensitetin e prurjeve, por dalja nga shtrati e përroit ka lënë depozita balte dhe materialesh inerte në rrugë dhe mjedise publike.
Bashkia ka bërë thirrje për qytetarët që të shmangin lëvizjet jo emergjente, qofshin ato me automjete apo në këmbë.