Autoritetet gjermane arrestuan tetë persona, mes tyre gjashtë shtetas shqiptarë, gjatë një operacioni kundër trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë aksionit u zbuluan pesë plantacione me më shumë se 2 300 bimë kanabisi. Operacioni u zhvillua në landin e Saarland-it dhe në zonën e Nordpfalz-it, ndërsa hetimet përfshijnë veprimtari të dyshuar në zonat kufitare mes Gjermanisë dhe Francës.
Gjatë kontrolleve në 11 banesa dhe ambiente biznesi, hetuesit doganorë dhe policia sekuestruan rreth 33 kilogramë amfetaminë, 11,5 kilogramë marihuanë dhe afro një kilogram hashash. U gjetën gjithashtu MDMA, tableta ekstazi, një presë për prodhimin e tabletave, disa armë dhe rreth 22 mijë euro para të gatshme.
Sipas hetimeve, të dyshuarit përdornin ndërtesa të pabanuara për kultivimin e kanabisit, të cilin më pas e shpërndanin në rajonin ndërkufitar dhe në Francë. Njëri prej të dyshuarve dyshohet edhe për trafikim të lëndëve narkotike i armatosur.
Hetimet nisën në maj, pas një kontrolli doganor pranë Pirmasensit. Gjatë kontrollit u arrestua një person, pasi në bagazhin e automjetit të tij u gjetën rreth 20 kilogramë marihuanë. Zbulimi çoi në zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e rrjetit.
Operacioni u shtri edhe në Francë. Autoritetet kryen kontrolle në rajonin Grand Est dhe arrestuan 13 persona të tjerë. Prokuroria e Saarbrücken-it dhe Zyra e Hetimit Doganor në Frankfurt am Main njoftuan se hetimet vijojnë.
Tetë të arrestuarit në Gjermani dolën përpara një gjyqtari hetues në Gjykatën e Shkallës së Parë në Saarbrücken. Për gjashtë shtetasit shqiptarë, një shtetas gjerman dhe një shtetas italian u lëshuan urdhër-arreste. Njëri prej tyre u la i lirë me masa dhe kushte kufizuese, ndërsa shtatë të tjerët u dërguan në paraburgim.