Ministrat e mbrojtjes të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Britanisë, të njohur si grupi E5, thanë të hënën pas bisedimeve në Paris se vendet e tyre janë të përgatitura të marrin përsipër përgjegjësi më të mëdha brenda NATO-s. Ata thanë se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të mbajë një barrë më të madhe brenda aleancës.
Në deklaratën e përbashkët, ministrat u shprehën të vendosur të punojnë në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara janë dhe do të mbeten aleat i domosdoshëm dhe se angazhimi i vazhdueshëm amerikan në sigurinë evropiane është thelbësor për një NATO të fortë dhe të besueshme.
Ministrja franceze e mbrojtjes, Catherine Vautrin, tha se pesë vendet kishin rënë dakord të punonin për një Evropë më të fortë brenda një NATO-je po aq të fortë. Sipas saj, plani do të hartohet në bashkërendim me Uashingtonin dhe me transparencë të plotë. Vautrin tha se takimi i radhës i E5 do të mbahet në Romë në mars 2027.
Në takim mori pjesë edhe shefja e politikës së jashtme evropiane, Kaja Kallas. Ajo tha se vendet duhet të vazhdojnë të modernizojnë forcat dhe aftësitë e tyre për të ndërtuar një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë.
Lidhur me planet e Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar praninë e tyre ushtarake në Evropë, Zalewski tha se ishte i bindur që çdo marrëveshje do të bashkërendohej me aleatët, në mënyrë që të shmangeshin pengesat ose boshllëqet në aftësi.
Në maj, Pentagoni njoftoi planet për të tërhequr rreth 5 000 trupa nga Gjermania, afërsisht 15 për qind e 36 000 trupave amerikane të stacionuara atje. Uashingtoni tha se tërheqja do të kryhej gjatë gjashtë deri në 12 muajve të ardhshëm.
Ministrat e mbrojtjes të E5 riafirmuan gjithashtu angazhimin për të mbështetur Ukrainën, por nuk njoftuan ndihmë të re financiare ose operacionale.