Gjykatat ndërkombëtare kanë dënuar pesë zyrtarë serbë me një total prej 89 vjetësh burg për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në të njëjtën periudhë, Zyra e Prokurorit të Gjykatës Speciale të Hagës, e krijuar nga Kosova dhe që operon sipas ligjeve të Kosovës, ka kërkuar 180 vjet dënim për katër ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rastin "Thaçi dhe të tjerët".
Gjatë luftës në Kosovë, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbo-jugosllave kanë vrarë më shumë se 10 mijë shqiptarë. Më shumë se 1 mijë vetë konsiderohen ende të zhdukur me dhunë, ndërsa rreth 20 mijë gra shqiptare raportohen si të dhunuara seksualisht. Dëmet dhe shkatërrimet vlerësohen në shumë miliarda euro.
Pesë zyrtarët serbë u dënuan në kuadër të rastit "Milutinović et al." në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY). Asnjë prej tyre nuk mori dënim me burgim të përjetshëm dhe asnjë aktgjykim nuk u shqiptua për gjenocid. Ish-presidenti i Serbisë Milan Milutinović u shpall i pafajshëm.
- Gjenerali Nebojša Pavković, komandant i Ushtrisë së Jugosllavisë për Kosovën, u dënua me 22 vjet për vrasje, përndjekje dhe deportime të shqiptarëve.
- Sreten Lukić, shef i Policisë së Serbisë për Kosovën, mori 20 vjet burg.
- Vlastimir Đorđević, zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, u dënua me 18 vjet për deportime, vrasje dhe fshehje provash.
Në Gjykatën Speciale, prokuroria kërkon nga 45 vjet për secilin prej ish-komandantëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.