ARRSH ka pezulluar qarkullimin e automjeteve në segmentin rrugor Qafë Thore – Theth për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët e dëborës, si pasojë e kushteve të përkeqësuara atmosferike.
Vendimi është marrë pas analizës së riskut dhe komunikimit me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës. Segmenti do të qëndrojë i bllokuar deri në një njoftim të dytë.
Për arsye sigurie, qarkullimi është ndaluar për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese, pasi zona paraqet rrezik të lartë kalimi për shkak të mundësisë së rënies së ortekëve.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të shmangin këtë aks dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për përditësime të mëtejshme.