Një incident me armë zjarri është shënuar mbrëmjen e datës 13 korrik 2026 në qytetin e Pejës, ku një person ka mbetur i plagosur. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Mbreti Pirro, në lagjen e njohur si Milet Bahçe.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar se autoritetet janë njoftuar për plagosjen rreth orës 22:36. Viktima është identifikuar si Suad Kelmendi.
Pas marrjes së njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme. Policia bëri të ditur se personi i dyshuar është larguar menjëherë pas incidentit dhe aktualisht ndodhet në arrati. Forcat e rendit janë duke punuar për lokalizimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Përditësime
Prokuroria Themelore në Pejë ka angazhuar dy prokurorë në vendin e ngjarjes për mbikëqyrjen e hetimeve lidhur me plagosjen e ndodhur në parkingun e rrugës Mbreti Pirro.
I dyshuari për plagosjen me armë zjarri në rrugën 'Mbreti Pirro' në Pejë është vetëdorëzuar në polici më 14 korrik, rreth orës 02:30. Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë. Gjatë dorëzimit, i dyshuari ka ofruar dy armë, dy karikatorë dhe 15 fishekë, ndërsa gjatë bastisjes së banesës së tij, Policia e Kosovës ka konfiskuar edhe 73 fishekë (7.65mm), 41 fishekë (9x19mm) dhe tre karikatorë të tjerë. Viktima ndodhet në gjendje stabile dhe është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK.