Pjesëtarë të misionit të EULEX-it kanë ndërhyrë të enjten për t'i ofruar ndihmë një gruaje, e cila kishte pësuar një emergjencë mjekësore në Mitrovicën e Jugut. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për policë polakë që shërbejnë në kuadër të Njësisë së Policisë së Formuar të EULEX-it (FPU).
Ngjarja ka ndodhur ndërsa efektivët po kryenin detyrat e rregullta të patrullimit dhe zbulimit. Pjesëtarët e kësaj njësie kanë aplikuar njohuritë e tyre për mbështetjen themelore të jetës (Basic Life Support), duke i ofruar asistencë gruas dhe duke siguruar gjendjen e saj deri në mbërritjen e ekipit mjekësor të ambulancës.
Në një njoftim për mediat, EULEX ka theksuar rëndësinë e trajnimit të rregullt për ndihmën e parë, duke nënvizuar se aftësia për të reaguar në minutat kritike është vendimtare për shpëtimin e jetëve njerëzore, përpara se të arrijë ndihma profesionale.