Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët që udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut se atje ka filluar monitorimi elektronik i komunikacionit rrugor përmes sistemit "Qyteti i sigurt". Ky njoftim bazohet në informacionet zyrtare të autoriteteve maqedonase dhe synon rritjen e kujdesit gjatë udhëtimit.
Monitorimi realizohet me pajisje teknike dhe kamera inteligjente, të cilat evidentojnë automatikisht shkeljet e dispozitave të komunikacionit, në përputhje me legjislacionin e Maqedonisë së Veriut. Në fazën e parë, sistemi zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10.
Do të evidentohen shkelje të tilla si:
- tejkalimi i shpejtësisë së lejuar;
- kalimi në semafor të kuq;
- ndalimi dhe parkimi i parregullt;
- qarkullimi me automjete të paregjistruara.
Sistemi vlen edhe për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova. Në rast shkeljesh të konstatuara, parashihet njoftim gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut. Qytetarët e huaj gëzojnë të drejtën për të paguar 50% të gjobës brenda afatit prej tetë ditësh.
Nëse gjoba nuk paguhet ose nuk pajtohet me shkeljen, iniciohet procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente për të huajt. Policia e Kosovës thekson nevojën për respektimin e dispozitave ligjore për të shmangur pasoja.