Policia e Tiranës ka intensifikuar veprimtarinë monitoruese për nivelin e zhurmave në zonën e ish-Bllokut, me qëllim garantimin e qetësisë për banorët dhe vizitorët. Aksioni u ndërmor nga strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2.
Krahas verifikimeve në terren, policia ka zhvilluar edhe takime informuese me administratorë të subjekteve dhe persona fizikë, aktiviteti i të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika. Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë ndërgjegjësimi për zbatimin e rregullave në fuqi. Gjatë kontrolleve të kryera në ambiente të hapura dhe të mbyllura, përmes matësve të posaçëm të zhurmës, rezultatet kanë treguar se subjektet nuk kanë tejkaluar limitet e lejuara.
Sipas njoftimit zyrtar, efektivët kanë monitoruar rigorozisht edhe respektimin e orarit për muzikën në mjediset e hapura, i cili për zonat e banuara është përcaktuar nga ora 11:00 deri në orën 24:00. Policia ka bërë të ditur se monitorimi do të vijojë edhe në ditët në vijim në zonat me aktivitet të lartë. Qytetarët janë ftuar të njoftojnë autoritetet për çdo rast të shkeljes së rregullave, ndërsa policia garanton reagim të menjëhershëm ndaj çdo denoncimi.