Gjatë sezonit veror, Policia e Shtetit ka shtuar monitorimet në të gjithë territorin e vendit me synim uljen e ndotjes akustike dhe ruajtjen e qetësisë publike. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka deklaruar se ky aksion ndërmerret në zbatim të udhëzimit të rishikuar mbi nivelet e lejuara të zhurmave.
Në një reagim publik, Lamallari theksoi se ndotja akustike nuk do të tolerohet dhe se qetësia e qytetarëve, familjeve dhe vizitorëve duhet të garantohet në çdo zonë turistike. Çdo subjekt që lëshon muzikë mbi normat e përcaktuara do të përballet me pasoja ligjore.
Sipas udhëzimit zyrtar, në intervalin kohor 20:00-24:00, niveli i lejuar i zhurmës i matur në mjediset publike nuk duhet të tejkalojë kufirin e 45 decibelëve (dB). Ministri nënvizoi se respektimi i këtyre kufijve synon krijimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe të sigurt për të gjithë pushuesit gjatë sezonit veror. Policia e Shtetit vijon monitorimet intensive për të siguruar zbatimin e këtij udhëzimi në çdo cep të vendit.