Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar planin e masave për mbarëvajtjen e koncertit muzikor të artistit Kanye West, që zhvillohet sot në zonën e Kasharit. Masat janë ndërmarrë për të menaxhuar fluksin e pjesëmarrësve dhe për të garantuar sigurinë gjatë aktivitetit.
Kufizimet e qarkullimit janë si më poshtë:
- Nga ora 07:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës Durrës–Tiranë, nga zona e “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet që operojnë në atë zonë.
- Nga ora 07:00 deri në 24:00, do të bllokohet korsia e daljes së autostradës në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.
- Nga ora 12:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.
- Nga ora 12:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Policia bëri me dije se në aksin nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të aplikohen bllokime të pjesshme, në varësi të dendësisë së trafikut. Gjatë orareve të kufizimeve, akses në zonat e bllokuara do të kenë vetëm mjetet e emergjencës dhe ato të Policisë së Shtetit.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të planifikojnë lëvizjet e tyre paraprakisht, të shfrytëzojnë itinerare alternative dhe të zbatojnë me përpikëri udhëzimet e punonjësve të policisë të dislokuar në terren.
Përditësime
Policia e Tiranës ka konfirmuar se koncerti i Kanye West do të mbahet më 11 korrik 2026 në 'Eagle Stadium' në Kashar. Stadiumi, i cili ka një kapacitet prej 60 mijë spektatorësh dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 65 mijë metrash katrorë, është vendi i përzgjedhur për këtë event.