Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Shkodër, finalizoi operacionin policor të koduar "Network". Veprimtaria e paligjshme zhvillohej në një subjekt në lagjen "Vasil Shanto", ku dyshohet se kryhej mashtrim kompjuterik përmes telefonatave ndaj qytetarëve europianë, të cilëve u premtoheshin fitime të mëdha.
Në operacion u arrestuan në flagrancë katër drejtues dhe organizatorë të kësaj skeme:
• Fabian Popaj, 37 vjeç (administrator)
• Lisenko Muçaj, 43 vjeç
• Basri Nikshiqi, 41 vjeç
• Nikolin Biba, 42 vjeç
Krahas arrestimeve, autoritetet proceduan penalisht edhe 61 punonjës të subjektit, të cilët u gjetën duke ushtruar aktivitetin në momentin e ndërhyrjes. Gjatë kontrollit në ambientet e call center-it, policia sekuestroi si provë materiale 152 pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë dhe laptopë, si dhe një shumë parash. Materialet procedurale i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Përditësime
Policia e Shtetit ka bërë publike detaje mbi vendbanimet e katër personave të arrestuar gjatë operacionit për goditjen e një 'call center'-i në Shkodër. Administratori Fabian Popaj rezulton banor i fshatit Bajzë, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë janë banorë të qytetit të Shkodrës. Hetimet për këtë rast vijojnë përmes metodave proaktive në kuadër të procedimit penal të hapur.