Policia Kufitare e Korçës ka konstatuar dhe ndaluar 16 emigrantë të paligjshëm të moshës dhe nacionaliteteve të ndryshme, të cilët ishin strehuar në një ndërtesë të braktisur në fshatin Qatrom.
Sipas informacioneve paraprake, emigrantët ishin fshehur në një ndërtesë në afërsi të teqesë së Qatromit. Gjatë ndërhyrjes së policisë, u konstatua se njëri prej tyre kishte probleme shëndetësore, pasi kishte ndrydhur këmbën. Menjëherë mbërriti ambulanca në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë mjekësore.
Burime bëjnë me dije se kontrollet janë shtuar nga Policia Kufitare e Korçës, jo vetëm për evidentimin e emigrantëve të paligjshëm, por edhe për identifikimin e personave që ndihmojnë këta shtetas për të lëvizur drejt Tiranës apo qyteteve të tjera. Kontrollet në zonë vijojnë.
Emigrantët po dërgohen drejt Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë për veprime të mëtejshme. Raportimet përmendin korrespondenten Dhorjela Çule të Top Channel për disa nga burimet.