Dy operacione policore të zhvilluara në qarkun e Korçës kanë çuar në arrestimin e dy 21-vjeçarëve, të cilët dyshohet se ndihmonin emigrantët për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt pagesës. Strukturat e Policisë Kufitare dhe ato të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan operacionet e koduara Route 2 dhe Qatromi.
Detajet e operacioneve
Në operacionin Route 2, shtetasi M. Sh., 21 vjeç, banues në Tiranë, u konstatua në fshatin Tren të Devollit duke transportuar 5 emigrantë. Pas refuzimit për të ndaluar, ai u ndoq nga shërbimet policore deri në fshatin Gurishtë, ku braktisi automjetin dhe u largua. Ai u kap pas disa orësh nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 6 në Tiranë.
Operacioni Qatromi çoi në arrestimin e 21-vjeçarit S. D., banues në fshatin Libonik të Maliqit. Sipas hetimeve, i riu strehonte emigrantë në një ndërtesë të braktisur në fshatin Qatrom dhe më pas i dërgonte drejt Tiranës. Në momentin e ndërhyrjes së policisë, brenda automjetit të tij u gjetën 6 emigrantë, ndërsa i riu u kap disa metra larg mjetit pas një përpjekjeje për t'u larguar.
Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".