Dy 20-vjeçarë nga Bulqiza u arrestuan më 1 nëntor në Gjirokastër, pasi u kapën duke transportuar kundrejt fitimit katër emigrantë, të cilët, sipas Policisë, kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri përmes kufirit me Greqinë. Arrestimet u kryen gjatë operacionit policor të koduar “Long Wait”.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, të arrestuarit janë L. A. dhe L. B., të dy 20 vjeç dhe banues në Bulqizë. Ata u ndaluan në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, teksa transportonin emigrantët me një automjet tip Volkswagen. Policia tha se dy të rinjtë nuk iu bindën urdhrit të punonjësve për të ndaluar.
Në operacion morën pjesë specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, Sektori Operacional në DVP Gjirokastër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe dy aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”. Euronews Albania raporton se hetimet vijojnë për veprime të mëtejshme.