Policia e Beratit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar "Kthesa", pas një hetimi njëmujor të kryer me metoda proaktive nën drejtimin e Prokurorisë. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 42 vjeç, banues në Berat, i cili akuzohet për transportimin e paligjshëm të një shtetasi tjetër drejt kufirit me Greqinë.
Së bashku me të arrestuarin, në automjet udhëtonte edhe një shtetas tjetër, D. Rr., 42 vjeç, banues në Laç, i cili u procedua në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kishte si qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Automjeti u ndalua nga shërbimet policore në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës.
Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën dhe sekuestruan si prova materiale shumën prej 6800 eurosh, të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe tre telefona celularë dhe automjetin e përdorur për transportin e shtetasit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme mbi veprimtarinë e dyshuar të paligjshme të shtetasve në fjalë.