Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë finalizuan operacionin e koduar Kufijtë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë këtij operacioni, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve A. D. dhe F. Ç., të cilët ishin duke transportuar 6 emigrantë me dy automjete të ndryshme.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi në zonën e njohur si Pagane, në afërsi të vijës kufitare me Greqinë. Të arrestuarit dyshohet se po ndihmonin emigrantët, të cilët kishin hyrë ilegalisht në territorin e Shqipërisë, për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian kundrejt pagesës.
Në vijim të veprimeve procedurale, 6 emigrantët me origjinë nga Pakistani, Bangladeshi dhe India u proceduan penalisht për kalim të paligjshëm të kufirit. Dy automjetet e përdorura në këtë veprimtari kriminale u sekuestruan nga autoritetet, ndërsa materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Përditësime
Policia identifikoi dy të arrestuarit në operacionin e koduar Kufijtë. Ata janë A. D., 50 vjeç dhe F. Ç., 59 vjeç, të dy me banim në Tiranë.