Policia e Gjirokastrës arrestoi më 8 nëntor shtetasin K. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke transportuar kundrejt pagesës një emigrant nga Afganistani. Automjeti tip “Renault” u ndalua në aksin rrugor Sarandë–Gjirokastër, në vendin e quajtur Ura e Kardhiqit. Në automjet ndodhej edhe pasagjeri M. Gj., 27 vjeç, banues në Tiranë, i cili u procedua penalisht.
Sipas njoftimit të policisë, emigranti kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar përmes kufirit me Greqinë. Operacioni policor, i koduar “Zona 3”, u krye nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, Sektorin Operacional dhe shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Nga verifikimet dhe veprimet hetimore rezultoi se drejtuesi i automjetit kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës. Masa ishte vendosur për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën dy çanta me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë. Sipas policisë, ato i përkisnin pasagjerit, i cili u procedua penalisht për moskallëzim krimi dhe mallra kontrabandë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, çantat dhe dy telefona celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.