Gjatë një harku kohor prej 24 orësh, forcat e rendit në jug të vendit kanë zhvilluar tre operacione të ndara për të goditur veprimtaritë kriminale.
Operacioni "Pasagjeri"
Në Dhërmi, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, arrestuan 26-vjeçarin D. M., banues në Babrru, Tiranë. Gjatë kontrollit të taksisë me të cilën udhëtonte, atij iu gjet një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën e mbante pa leje.
Operacioni "Thirrja"
Në Delvinë, Komisariati i Policisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Sarandës dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë (Njësia Fier), vunë në pranga 31-vjeçarin H. Z., banues në fshatin Vanë. Ai akuzohet se ka dhunuar një punonjës të OShEE-së për t’i vjedhur automjetin e kompanisë. Gjatë arrestimit, policia gjeti dhe sekuestroi një thikë, ndërsa automjeti iu kthye pronarit.
Operacioni "Barriera"
Në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës arrestuan 30-vjeçarin M. Q., banues në Belsh. Ky shtetas u kap duke transportuar me një automjet tip “Volkswagen” pesë persona, katër nga Shqipëria dhe një nga Kosova, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë, pasi kishin ndalesa për lëvizje në zonën Schengen.
Materialet hetimore për të gjitha rastet i janë përcjellë prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme penale.