Një operacion i koordinuar nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë, në bashkëpunim me strukturat e hetimit të DVP Korçë, Komisariatin e Gramshit dhe Komisariatin nr. 5 të Tiranës, ka çuar në identifikimin e personave të përfshirë në transportin e paligjshëm të 15 emigrantëve. Ngjarja ka nisur në fshatin Kapshticë të Devollit, ku forcat e policisë kanë konstatuar dy automjete tip Audi Q7, të cilat dyshohet se transportonin grupin e emigrantëve. Pas mosbindjes ndaj urdhrit të ndalimit, ka nisur një ndjekje e mjeteve nga forcat e policisë.
Gjatë lëvizjes drejt Gramshit, drejtuesit e mjeteve kanë lënë emigrantët në një përrua pranë fshatit Lozhan të Maliqit. Në tentativë për t'iu shmangur ndalimit në qytetin e Gramshit, drejtuesit janë përballur me një postbllok policor, duke përplasur dy patrulla dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Pas përplasjes, mjetet janë gjetur të braktisura në dy fshatra të Gramshit.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim dy drejtuesit e mjeteve, ndërsa një person i tretë është proceduar në gjendje të lirë. Dy mjetet e përdorura për transportin e emigrantëve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.