Bajram Begaj, President i Republikës, priti më 6 maj në Tiranë Michael Granoff, kryetar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), dhe drejtuesit ekzekutivë të këtij fondacioni. Takimi u fokusua në projektet e fundit të AADF-së, që synojnë zhvillimin e bujqësisë, turizmit, arsimin e fëmijëve në inteligjencën artificiale dhe lidhjen e kërkuesve shkencorë të diasporës me institucionet shqiptare.
U vlerësua bashkëpunimi midis akademikëve shqiptarë në diasporë dhe institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri përmes programit “READ Fellowship”, si dhe iniciativat për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, promovimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik në dobi të sipërmarrësve e qytetarëve.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e gjatë të AADF-së, që ka dhënë rezultate të dukshme në fusha të ndryshme dhe zhvillon aktualisht 37 projekte me ndikim të rëndësishëm. Presidenti përgëzoi Granoff për nismën “Toka”, e cila synon zhvillimin e sektorit bujqësor sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe amerikane.
“Sektori i bujqësisë ka nevojë të rrisë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, standardet e cilësisë dhe sigurinë ushqimore”, theksoi Presidenti Begaj. Projekti ofron ekspertizë dhe investim për zhvillimin e fshatit dhe gjenerimin e të ardhurave.
Presidenti falënderoi drejtuesit e fondacionit për përfshirjen në UNESCO brenda një kohe të shkurtër të elementeve si “Xhubleta” dhe “Lahuta”. U vlerësuan nismat për të shtuar në Listën e Trashëgimisë së UNESCO-s edhe “Dollia”, “Moti i Madh”, “Plisi” dhe Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, të cilat janë në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë.
“Projektet tuaja janë të prekshme, të vlerësuara nga shqiptarët dhe institucionet. Rezultatet e tyre mund dhe duhet të shërbejnë si modele suksesi”, tha Kreu i Shtetit.