Sistemi elektronik i Tatimeve po përballet me probleme teknike, të cilat e bëjnë të pamundur fiskalizimin e mijëra faturave të lëshuara nga bizneset. Ndonëse këto fatura pranohen nga sistemi, moskryerja e procedurës së fiskalizimit po pengon shlyerjen e tyre nga bizneset pritëse, duke vështirësuar aktivitetin ekonomik në vend.
Sipas të dhënave të raportuara, sistemi shfaq probleme të sinkronizimit prej një jave. Aktualisht, përgjegjësia për mirëmbajtjen e sistemit i ka kaluar kompanisë shtetërore Albanian Digital Solution, e cila është krijuar nga AKSHI për të menaxhuar infrastrukturën dixhitale shtetërore, pas përfundimit të kontratave me operatorët privatë.
Historikisht, sistemi i fiskalizimit mirëmbahej nga kompania private Primus Adriatic. Edhe pse AKSHI zhvilloi një tender gjatë vitit të kaluar për të siguruar mirëmbajtjen e këtij sistemi për një periudhë katërvjeçare, procedura mbetet e bllokuar. Ky ngërç pasoi hetimet e nisura nga SPAK mbi institucionin e AKSHI-t, situatë që ka sjellë pezullimin e tenderëve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe kalimin e mirëmbajtjes së platformave publike nën varësinë e kompanisë shtetërore.