Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin "Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj". Ky draft hap rrugën për blerjen e tokës bujqësore nga shtetas dhe kompani të huaja, me efekt 7 vite pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Projektligji përcakton se personat fizikë dhe juridikë të huaj mund të fitojnë të drejtën e pronësisë mbi tokën bujqësore private ose mbi atë të përfshirë në fondin "tokë bujqësore shtetërore e disponueshme (e pandarë)".
Kufizimet e blerjes
E drejta e blerjes kufizohet në 2 hektarë brenda një bashkie dhe deri në 30 hektarë në shkallë republike. Personat e huaj kanë të drejtë të blejnë tokën vetëm për investime në fushën e bujqësisë, në pronë shtetërore ose private. Kalimi i pronësisë lejohet vetëm për tokë bujqësore dhe nuk përfshin kategori të tjera pasurish të paluajtshme.
Kriteret për fitimin e pronësisë
Për të fituar tokë bujqësore, personat fizikë dhe juridikë të huaj duhet:
- të jenë rezidentë të përhershëm në Republikën e Shqipërisë për një periudhë jo më pak se 5 vjet;
- të kenë zhvilluar veprimtari bujqësore ose agrobiznesi në Shqipëri, të dokumentuar për të paktën 3 vjet;
- të kenë arsim ose përvojë profesionale në fushën e bujqësisë;
- të ushtrojnë aktivitetin përmes një shoqërie tregtare të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
Rastet e ndalimit
Projektligji ndalon tjetërsimin e tokës bujqësore në favor të të huajve kur prona:
- është objekt i dosjeve për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve;
- është objekt i projekteve ose investimeve strategjike;
- shtrihet në zona me karakter ushtarak ose me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare.