Projektligji “Për Censin e Bujqësisë” ka kaluar të gjitha fazat e konsultimit publik dhe institucional. Këshilli Konsultativ midis Qeverisjes Qendrore dhe Vendore e shqyrtoi në dhjetor këtë nismë të qeverisë, e cila synon të mbledhë të dhënat bazë për tokat bujqësore dhe blegtorinë në të gjithë territorin e vendit.
Ky cens parashikohet në strategjinë statistikore të INSTAT për periudhën 2022-2026 dhe do të realizohet brenda këtij viti, katërmbëdhjetë vjet pas censit të fundit të situatës së bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri. Kostoja totale vlerësohet në 890.91 milionë lekë, të mbuluara nga buxheti i shtetit dhe burime donatorësh. Mbi gjysma e këtyre fondeve do të shkojnë për pagesat e burimeve njerëzore, ndërsa pjesa tjetër për dieta udhëtimi, pajisje dhe fushata publiciteti.
Objektivat kryesore përfshijnë mbledhjen e të dhënash të hollësishme dhe të besueshme për tokat bujqësore, pyjet, livadhet, kopshtet, bagëtitë, shpendët dhe elemente të tjera. Këto të dhëna do të mblidhen për të gjithë individët dhe fermat, të identifikuar në projektligj si “njësitë ekonomike bujqësore”. Ato do të shërbejnë për planifikimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit ekonomik bujqësor, si dhe për krijimin e një regjistri statistikor.
Nisma është konsultuar me institucione si Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (përgjegjëse kryesore), Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Kadastrës. Qeveria vlerëson se ky cens do të ofrojë një pasqyrë të thellë të peizazhit bujqësor, do të përafruohet me legjislacionin e BE-së dhe do të bëjë të dhënat shqiptare të krahasueshme në nivel evropian.