Në zonën e Dragostunjës, në aksin rrugor Përrenjas-Librazhd, ka ndodhur rrëshqitje masive e tokës, e cila ka dëmtuar rrugën, linjën hekurudhore dhe linjat elektrike. Situata është përkeqësuar për shkak të fundosjes së një ure, duke rritur rrezikun për qarkullimin.
Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 21 shkurtit, autoritetet ndaluan lëvizjen e automjeteve, këmbësorëve dhe mjeteve të emergjencës, si zjarrfikëset, policinë dhe ambulancat, për shkak të rrezikut të lartë dhe pamundësisë për të identifikuar zonat e dëmtuara në errësirë. Zona mbetet e izoluar nën monitorim të vazhdueshëm, me rrezik të lartë shembjeje të plotë.
Masa për tensionin e lartë
Autoritetet kanë stakuar linjën e tensionit të lartë dhe planifikojnë demontimin e shtyllës, e cila po rrëshqet për shkak të ngjarjes.
Hetimi i Prokurorisë
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim kryesisht ndaj kompanisë që punon për zgjerimin e Korridorit të VIII. Hetimi fokusohet në shkaqet e rrëshqitjes dhe verifikon lejen për marrjen e inerteve në lumin Shkumbin si dhe zbatimin e saj. Sipas gazetäres Bruna Kërçyku të Top Channel, hetimet nisën pas denoncimit me pamje filmike në këtë medium dhe mbulojnë të gjithë segmentin rrugor nga Peqini në Qukës, për shkak të shfrytëzimit masiv të lumit në disa zona. Prokuroria bashkëpunon me institucionet kompetente.
Përditësime për qarkullimin
Aksi mbetet i bllokuar. Një by-pass po hapet për kalimin në pjesën e dëmtuar dhe pritet të jetë gati nesër, ndërsa rruga mund të hapet të hënën në mesditë.
Përditësime
Prokuroria e Elbasanit ka specifikuar veprat penale të hetuara në hetimin për rrëshqitjen në aksin Përrenjas-Librazhd: shpërdorim i detyrës, shkelje e barazisë në tendera dhe ankande publike, shkatërrim i rrugës, ndotje e ajrit, ujit dhe tokës.