Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B., banor i Prishtinës, dhe E.K., banor i Obiliqit. Ata dyshohen për veprën penale "Marrja e rryshfetit në sektorin privat", sipas nenit 309 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në bashkëkryerje me nenin 31.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 25 shkurt 2026, rreth orës 14:30, në Ferizaj, në rrugën "Dëshmorët e Kombit", përkatësisht në ambientet e KEDS-it, B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe E.K., ushtrues i detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave për ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, kërkuan drejtpërdrejt 400 euro nga i dëmtuari A.H..
Shuma u kërkua me arsyetimin se njehsori elektrik do të vendosej në lokalin e tij brenda një jave, ndryshe do të duhej të priste pesë deri në gjashtë muaj. Të pandehurit thanë se paratë do të ndaheshin mes katër personash. Pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, ata u kapën dhe u arrestuan në flagrancë nga Policia e Kosovës.
Që nga data 25 shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të pandehurit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për këtë vepër penale.
Përditësime
Gjykata Themelore në Ferizaj aprovon kërkesën e Prokurorisë dhe cakton një muaj paraburgim ndaj B.B. dhe E.K., punonjësve të KEDS-it.
Gjyqtari i procedurës paraprake Dardan Maloku e vlerësoi dyshimin si të bazuar pas seancës dëgjimore dhe analizës së shkresave.
Ankesa kundër vendimit nuk e shtyn ekzekutimin e tij.