Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se, në vazhdë të hetimeve intensive për veprën penale të mashtrimit kompjuterik, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka identifikuar dhe sekuestruar pasuri në vlerë rreth 100 mijë euro.
Pasuria dyshohet se është përfituar nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Me urdhër të prokurorit është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar bankat komerciale në Kosovë.
Të dielën, policia e Kosovës arrestoi dy persona të dyshuar për të njëjtën vepër penale. Gjatë operacionit u bastisën dy lokacione në fshatin Samadraxhë të Suharekës dhe tre të tjera në Prishtinë.
Në atë rast u sekuestruan mbi 48 mijë euro para të gatshme, dhjetë vetura në vlerë rreth 1 milion euro, si dhe pajisje elektronike si prova.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, veçanërisht krimeve kibernetike. Prokurori i çështjes do të vazhdojë hetimet me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.