Protestat e kamionistëve kundër rritjes së çmimeve të karburantit kanë penguar transportin e mallrave në disa zona të Italisë dhe kanë shkaktuar shqetësime për furnizimin me karburant të avionëve në aeroportet e jugut. Më 22 tetor, qeveria e kryeministres Giorgia Meloni miratoi masa mbështetëse për transportin rrugor, bujqësinë dhe peshkimin, ndërsa bllokadat vijuan në disa zona.
Në Kalabri, aeroportet e Krotones dhe Rexho Kalabrias raportuan mungesë të karburantit të aviacionit Jet A-1. Njoftimet e agjencisë italiane të kontrollit të trafikut ajror, ENAV, u kërkuan pilotëve të planifikonin furnizimin në aeroportin e nisjes ose në një aeroport të mëparshëm. Sipas njoftimeve të publikuara më 21 tetor, kufizimet në Krotone mund të zgjasnin deri të shtunën në mbrëmje, ndërsa në Rexho Kalabria deri të dielën. Në Lamezia Terme nuk u raportuan probleme të ngjashme. Sacal, kompania që administron aeroportet e Kalabrisë, tha se procedurat e vendosura nuk pritet të ndikojnë në rregullsinë e fluturimeve të planifikuara.
Kufizime të mundshme u njoftuan edhe në Katania, ndërsa vështirësi në furnizim u raportuan në aeroportet e Napolit dhe Salernos. Gesac, kompania administruese e këtyre aeroporteve, i kërkoi prefekturës të garantojë kalimin e automjeteve furnizuese dhe hyrjen në depot e karburantit në Napoli. Për Barin dhe Brindisin u publikuan njoftime paraprake, por nuk ishin raportuar vështirësi konkrete. Kompanive ajrore iu kërkua të siguronin karburantin e nevojshëm në aeroporte të tjera.
Bllokadat kanë penguar shpërndarjen e ushqimeve dhe produkteve farmaceutike. Në zonën e Napolit, qumështi i buallit nuk arriti në fabrikat e mocarelës dhe produktet e përfunduara nuk u shpërndanë te klientët. Sipas autoriteteve italiane, humbjet në këtë sektor arritën rreth 3 milionë euro brenda 24 orëve. Në disa zona të Kampanias u raportuan mungesa karburanti, ndërsa disa shkolla kaluan në mësim në distancë.
Paketa qeveritare përfshin 60 milionë euro për fermerët. Sipas ministrit të Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, fondet mbulojnë rreth 121 milionë litra karburant, me kontribut deri në 45 cent për litër. Për peshkimin janë parashikuar 10 milionë euro. Përfituesit do t’i marrin fondet drejtpërdrejt në llogaritë bankare brenda 30 ditëve nga dorëzimi i dokumenteve të kërkuara.
Sipas Euronews Albania, transportuesit do të mund të rrisin tarifat edhe pa marrëveshje me shkrim me klientët, të pezullojnë pagesat e lizingut deri në shtatë muaj dhe të përfitojnë lehtësime tatimore për një pjesë të kostove shtesë të karburantit. Për lehtësime fiskale dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për transportin rrugor janë parashikuar rreth 126 milionë euro.
Meloni tha se qeveria ka arritur marrëveshje me shoqatat e transportit dhe se fondet kanë nisur të shpërndahen. Ajo i kërkoi ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, të garantojë qarkullimin e mallrave dhe të parandalojë spekulimet me çmimet. Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Edoardo Rixi, tha se qeveria dëshiron ta zgjidhë situatën përmes dialogut, por mund të ndërhyjë për të hequr bllokadat nëse bisedimet dështojnë.
Një pjesë e kamionistëve rifilluan gradualisht shpërndarjen e ushqimeve, por protestat vazhduan dhe u shtrinë edhe në porte të tjera të jugut, ku disa anije nuk po punonin për shkak të çmimit të lartë të naftës. Në Gela, protestuesit thanë se do ta vijonin bllokadën deri në arritjen e rezultateve konkrete. Kryetarët e bashkive të Napolit dhe Barit paralajmëruan për rrezikun e ndërprerjeve. Sipas Anadolu Agency, ministri Piantedosi u kërkoi prefektëve dhe drejtuesve të policisë të monitoronin përfshirjen e mundshme të grupeve kriminale në protesta; autoritetet thanë se do të garantonin furnizimin me mallra thelbësore.