Mijëra qytetarë, aktivistë dhe mbrojtës të mjedisit u mblodhën këtë të martë para godinës së Kryeministrisë në protestën e tretë kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Zvërnecit.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit refuzuan ftesën për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke e bërë të qartë qëndrimin e tyre me sloganin: “Pa dorëheqje, s’ka dialog!”. Protestuesit theksuan se kundërshtimi i tyre nuk kufizohet vetëm te ky projekt, por reflekton shqetësimin e gjerë mbi mënyrën se si po administrohen pasuritë publike dhe natyrore të vendit.
Në protestë u mbajtën pankarta të shumta me mesazhe ironike dhe politike. Një prej tyre, që tërhoqi vëmendjen, paraqiste një dialog simbolik mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha me mbishkrimin: “Zaptuam Shqipërinë”. Të tjera pankarta përcillnin mesazhe mbi sakrificën e Vlorës dhe kërkesa të tjera politike, duke ndërthurur çështjet mjedisore me kritika ndaj krerëve të politikës.