Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dërguar mesazh deputetëve socialistë për mbledhje grupi nesër në orën 09:00 në Sallën e Seancave të Kuvendit. Mesazhi specifikon hyrjen nga krahu i Qendrës Tregtare Toptani dhe kërkon masa për pjesëmarrje të plotë.
"Siç ju njoftova në mbledhjen e Grupit, nesër ora 9:00 do të zhvillojmë një mbledhje Grupi në Sallën e Seancave në Parlament. Lutem merrni masa për pjesëmarrjen. Hyrja do të bëhet nga krahu i Qendrës Tregtare Toptani. Shihemi nesër", thuhet në mesazhin e Taulant Ballës.
Mbledhja paraprin seancën plenare të Kuvendit, ku do të votohen dy raportet për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në mbledhjen e fundit të grupit socialist është votuar qëndrimi për mosautorizimin e SPAK-ut për arrestimin e saj. Rregullorja e Kuvendit i jep të drejtë deputetes për të cilën kërkohet arrestimi të flasë në seancë, por nuk dihet nëse Balluku do ta shfrytëzojë këtë mundësi.
Nesër Partia Demokratike do të zhvillojë protestë para Kuvendit për shkak të qëndrimit të PS-së ndaj Ballukut. Gazetari Muhamed Veliu ka konfirmuar mesazhin e Ballës për deputetët socialistë.