Dhjetra punonjës të kompanisë SHPSF Serjani, e sigurimit të Bankers Petroleum, zhvilluan një protestë paraditen e sotme, më 10 shkurt 2026, për mosmarrjen e pagave prej 7 muajsh.
Kjo është protesta e katërt brenda këtyre 7 muajve. Fillimisht numri i punonjësve ishte 380, por shkurtime të vazhdueshme e kanë ulur në 120. Protestuesit thonë se vazhdojnë punën pa garanci financiare, duke u zhytur në borxhe dhe kredi për të mbështetur familjet.
Ata kanë komunikuar vazhdueshëm me drejtuesit e kompanisë, të cilët, sipas tyre, i kanë mbajtur me premtime pa realizim. Punonjësit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga drejtuesit e Bankers Petroleum dhe institucionet përgjegjëse për shlyerjen e pagave të prapambetura dhe sigurinë e punësimit.
Protestuesit paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat paralelisht me punën derisa situata të zgjidhet përfundimisht. Një prej tyre deklaroi: «Po punojmë çdo ditë, por pa paga. Jemi të zhytur në borxhe, askush nuk na jep përgjigje konkrete».