Protesta e banorëve të zonës naftëmbajtëse të Marinzës është përshkallëzuar mëngjesin e sotëm, pasi qytetarët kanë hyrë me forcë në ambientet e sheshit satelit 3 të kompanisë Bankers Petroleum. Pas protestës së dy ditëve më parë pranë zyrave të kompanisë, e cila nuk solli asnjë përpjekje për negociata, banorët kanë vendosur të bllokojnë aktivitetin në këtë sektor.
Shkak i kësaj pakënaqësie është nisma e kompanisë për të përgjysmuar vlerën e qirasë së tokave, nga 4 milionë lekë në 2 milionë lekë për dynym. Përveç kësaj, banorët kanë denoncuar mungesën e pagesave për tokat e tyre prej disa muajsh, duke e bërë situatën ekonomike të familjeve të tyre shumë të vështirë.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë kërkuar largimin e punonjësve nga sektori dhe kanë theksuar se protesta do të vijojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Ata kanë kërkuar gjithashtu ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për të ndërmjetësuar në këtë konflikt, duke deklaruar se nëse kompania nuk pranon të paguajë qiranë sipas kontratës, tokat duhet t'u kthehen pronarëve në gjendjen e mëparshme.
Një nga banorët u shpreh gjatë protestës: "Është prona ime, jo e jotja. Kemi bërë një kontratë bashkë, por nuk po e zbaton, nuk po më jep lekët". Situata në zonën e Patos-Marinzës mbetet e tensionuar, ndërsa banorët shprehen të vendosur për të mbrojtur të drejtat e tyre mbi pronën.
Përditësime
Protestuesit zhvendosën bllokimin nga zyrat e kompanisë drejt sheshit satelit 3, ku kanë paralajmëruar ndërprerjen e qarkullimit të operatorëve dhe autobotëve nga ora 07:00. Banorët raportojnë se kompania ka shkelur kontratat prej dy vitesh, duke përdorur pretendimet për humbje financiare si justifikim për vonesat ose mospagesat. Një prej protestuesve, i cili theksoi statusin e tij si invalid, deklaroi se varet ekonomikisht nga të ardhurat e kësaj toke.
Protesta në zyrat e Bankers Petroleum ka hyrë në një fazë kritike. Rreth 20 banorë janë ngujuar brenda ambienteve të kompanisë, duke refuzuar largimin gjatë natës. Pjesëmarrësit kërkojnë takim të menjëhershëm me një përfaqësues të autorizuar për të siguruar një zgjidhje përfundimtare për konfliktin e pagesave.
Banorët u larguan nga ambientet e zyrave të Bankers Petroleum rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, pas arritjes së një marrëveshjeje për zhvillimin e bisedimeve. Përfaqësuesit e banorëve kanë vendosur kushtin që qiraja pas vitit 2029 të caktohet në nivelin e 6 milionë lekëve për dynym. Ata paralajmëruan se nëse kompania dështon në shlyerjen e detyrimeve financiare, do të bllokojnë hyrjen e punonjësve në tokat e marra me qira.
Bankers Petroleum arriti marrëveshje zyrtare me banorët e Patos-Marinzës, duke dhënë fund protestës së tyre. Kompania pranoi zyrtarisht pagesën prej 4 milionë lekësh për dynym në vit. Ky detyrim financiar garantohet nga palët deri në vitin 2029.