Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” do të ndezë qirinj më 15 janar 2022, duke filluar nga ora 19:30, në shenjë respekti dhe përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë. Ky aktivitet zhvillohet me rastin e Ditës së Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Në Prishtinë, aktivistët e qendrës do të ndezin qirinjtë në sheshin “Skënderbeu”. Për ata që nuk mund të marrin pjesë fizikisht, organizata ka apeluar të ndezin qirinj në ballkonet e shtëpive të tyre. Gjithashtu, ajo fton shoqatat e viktimave të luftës dhe qytetarët në qytetet e tjera të gjejnë forma të përshtatshme për të përkujtuar viktimat e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.
Ky përkujtim bazohet në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 16 maj 2019, e cila cilësoi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si gjenocid dhe përcaktoi 15 janarin si Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë.