Qeveria e Kosovës ka transferuar nga 100 euro në llogaritë e dhjetëra mijëra studentëve nga arka e buxhetit shtetëror.
Në vitet e fundit, kjo qeveri ka shpërndarë një varg ndihmash të tilla financiare për kategori të ndryshme të shoqërisë – nga familjet me fëmijë e lehonat, te studentët e pensionistët. Këto masa janë prezantuar si përgjigje ndaj krizave të njëpasnjëshme, si pandemia COVID-19 e inflacioni, si dhe si dhurata për fundvitin e fillimin e vitit shkollor.
Pyetjet për efektin real të këtyre ndihmave dhe për mundësinë e tyre për t’u shndërruar në reforma më të gjera të sistemit të mirëqenies sociale mbeten të hapura. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës matje të efektit të këtyre ndihmave dhe plane për reforma, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikim.
Visar Ymeri, drejtues i Institutit “Musine Kokalari” për çështje sociale, vlerëson se shtesat e njëhershme mund ta lehtësojnë një moment krize, por nuk e ndryshojnë realisht pozitën ekonomike të familjeve. Ai thekson se pa një vizion transformues, këto masa mbesin më shumë gjeste politike sesa politika sociale afatgjate.
“Në një vend demokratik, politikat sociale duhet të diskutohen nga perspektiva afatgjate. Nga njëra anë, ato shërbejnë për të zbutur vështirësitë momentale, por, nga ana tjetër, duhet të kenë një qasje transformuese”, shton Ymeri për Radion Evropa e Lirë.
Në fund të vitit të kaluar, ndarja e 100 eurove për të moshuarit dhe fëmijët u kritikua për përputhje me fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjithashtu, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti u kritikua për ndarje të shtesave të ngjashme.