Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar zyrtarisht vënien në funksion të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare, të njohur si One Stop Shop, me Shqipërinë. Ky vendim synon thjeshtësimin dhe përshpejtimin e procedurave të kalimit të kufirit, duke shmangur vonesat e mbartura ndër vite.
Sipas zëdhënëses së qeverisë, Venera Azizi, ky hap përmbyll procesin e integrimit të këtij sistemi me të gjitha shtetet fqinje që nuk janë pjesë e zonës Schengen, pasi modeli është tashmë aktiv me Serbinë dhe Kosovën. Për finalizimin e plotë të kësaj nisme, mbetet nënshkrimi i marrëveshjes përkatëse midis ministrive të Punëve të Brendshme të të dyja vendeve.
Zbatimi i sistemit do të realizohet në faza, duke filluar nga pika kufitare e Qafë Thanës, e cila përfaqëson edhe pikën me fluksin më të lartë. Më pas, ky model kontrolli pritet të shtrihet në të gjitha pikat e tjera kufitare që lidhin dy shtetet.
Autoritetet theksuan se sistemi do të mundësojë një kalim më të sigurt dhe efikas, veçanërisht gjatë sezonit veror. Statistikat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2025, pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë përshkruar nga 4 581 724 udhëtarë, prej të cilëve 2 318 080 kanë kaluar vetëm përmes pikës së Qafë Thanës.
Përditësime
Qytetarët raportojnë pritje deri në 3 orë në pikën kufitare të Qafë Thanës, pavarësisht njoftimeve për përmirësimin e procedurave. Fluksi i lartë i mjeteve ka vështirësuar qarkullimin drejt bregdetit. Në këtë kuadër, autoritetet kanë miratuar sistemin One Stop Shop në bashkëpunim me Shqipërinë, i cili synon shpejtimin e lëvizjes për pushuesit që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi.