Qeveria italiane ka dhënë miratimin për ndërtimin e një kompleksi turistik në Cala Finanza, në provincën e Sasarit, duke përdorur mekanizmin e thjeshtimit administrativ ZES. Projekti, i njohur si Tavolara Bay, përfshin një hotel me pesë yje, dhjetëra vila, restorante, marinë, fushë golfi dhe një heliport.
Ndërhyrja shtrihet në një hapësirë që kufizohet me Zonën e Mbrojtur Detare Tavolara–Punta Coda Cavallo, e krijuar në vitin 1997. Megjithëse Plani Rajonal i Peizazhit të Sardenjës ndalon ndërtimet në një rreze prej 300 metrash nga vija bregdetare, autoritetet qendrore riaktivizuan autorizimin për zhvillimin e kësaj zone.
Vendimi erdhi pasi Këshilli i Ministrave hodhi poshtë kundërshtimet zyrtare të paraqitura nga Rajoni Autonom i Sardenjës dhe Ministria e Kulturës, duke anashkaluar edhe opinionin negativ të Superintendencës për mbrojtjen e trashëgimisë.
Investimi udhëhiqet nga gjiganti brazilian JHSF, nën drejtimin e José Auriemo Neto. Kompania, e cila zotëron grupin hotelier Fasano, e sheh këtë projekt si hyrjen e saj të parë në tregun evropian. Media italiane e ka krahasuar këtë rast me debatet e ngjashme në Shqipëri mbi ndërtimet në zona të mbrojtura bregdetare, duke ngritur shqetësime për ndikimin në ekosistem dhe mënyrën e vendimmarrjes administrative.