Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj të ri që ndryshon rrënjësisht mënyrën e administrimit të rezervave të sigurisë së hidrokarbureve në Shqipëri. Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ndryshimi kryesor qëndron në kalimin e kompetencës së mbajtjes së këtyre rezervave nga operatorët privatë te një autoritet shtetëror. Ky ndryshim synon të garantojë furnizimin e tregut në raste krizash apo situatash kur produktet mungojnë.
Projektligji parashikon krijimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve, një institucion i cili do të ketë për detyrë krijimin, ruajtjen dhe menaxhimin e këtyre rezervave. Për të shmangur zhvlerësimin e tyre, ky autoritet do të jetë përgjegjës edhe për hedhjen e herëpashershme të produktit në treg, duke siguruar kështu ruajtjen e cilësive ekonomike të rezervave. Sipas të dhënave, rezerva standarde duhet të përllogaritet në 90 ditë importe ose 61 ditë konsum, varësisht nga vlera më e lartë.
Kjo iniciativë vjen pas disa vitesh përpjekjeje për të përshtatur kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Evropian. Në periudha të mëparshme, shteti kishte diskutuar modele të ndryshme, përfshirë ato të bashkëmenaxhimit mes sektorit publik dhe atij privat, por projektligji i miratuar forcon rolin shtetëror në garantimin e sigurisë energjetike të vendit.
Përditësime
Projektligji përcakton vendosjen e një tarife të re për krijimin dhe mbajtjen e rezervave të sigurisë mbi produktet energjetike të akcizuara. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve do të operojë si person juridik publik jofitimprurës në varësi të ministrit përgjegjës për energjinë. Përdorimi i rezervave në situata krize do të realizohet nëpërmjet një plani të dedikuar, i cili kërkon miratimin paraprak të Këshillit të Ministrave.
Projektligji për rezervat e sigurisë së hidrokarbureve përfshin tashmë edhe naftën bruto si komponent të rezervave strategjike. Shoqata e Hidrokarbureve paralajmëroi se kostot e larta për krijimin dhe menaxhimin e këtyre rezervave mund të përkthehen në shtrenjtim të çmimit të karburantit për konsumatorët fundorë. Këshilli i Ministrave pritet të përcaktojë përmes një vendimi të posaçëm (VKM) tarifën që do të shpërblejë operatorët ekonomikë për mirëmbajtjen e naftës së depozituar për llogari të shtetit.
Operatorët ekonomikë që tregtojnë naftën në rezervën e sigurisë do të jenë të detyruar të paguajnë një tarifë ndaj shtetit brenda 20 ditëve nga hedhja e produktit në treg. Sipas qeverisë, kjo pagesë do të shërbejë si burimi kryesor për financimin dhe mirëmbajtjen e rezervave strategjike. Nga ana tjetër, Shoqata e Hidrokarbureve ka ngritur shqetësimin se krijimi i rezervës me naftë bruto do të kërkojë investime shtesë dhe të konsiderueshme në kapacitetet përpunuese dhe ruajtëse të sektorit privat.