Krijimi i rezervës së sigurisë me naftë bruto, diesel dhe benzinë do të reflektohet në një shtrenjtim të çmimit të karburanteve me 6.1 lekë për litër, sipas përllogaritjeve të operatorëve të tregut. Projektligji “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i dërguar për shqyrtim në Kuvend, parashikon krijimin gradual të një stoku prej 238 mijë tonësh, sasi që korrespondon me 90 ditë importe.
Sipas operatorëve të importit dhe tregtimit, kostoja shtesë prej 6.1 lekësh për litër ndahet në dy komponentë:
- 3.6 lekë për litër vijnë nga tarifa e vendosur për financimin e rezervës strategjike të naftës së papërpunuar.
- 2.5 lekë për litër i shtohen kostove për rezervën tregtare, që përfshijnë blerjen, infrastrukturën, sigurinë dhe mirëmbajtjen.
Për një periudhë 5-vjeçare, qeveria synon të krijojë këtë stok duke blerë çdo vit 43 mijë deri në 49 mijë tonë produkte, me një kosto të përllogaritur totale prej rreth 200 milionë eurosh. Në relacionin e projektligjit, qeveria pranon se vendosja e tarifës mbi sasitë e produkteve hidrokarbure do të sjellë rritje të vlerës në zinxhirin financiar dhe do të ndikojë çmimin final të shitjes.
Niveli i kësaj tarife do të përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave, duke parashikuar arkëtime vjetore prej 3.4 deri në 3.6 miliardë lekë. Ndërkohë, operatorët e tregut e kanë cilësuar këtë tarifë si taksë të fshehtë antikushtetuese, pasi sipas tyre, ajo është propozuar pa konsultime paraprake me grupet e interesit dhe niveli i saj nuk kërkon miratimin e Kuvendit.
Opozita ka reaguar ndaj këtij projektligji, ku deputeti Enno Bozdo ka propozuar një amendament për të kërkuar ndryshime në dokumentin e dërguar nga qeveria.