Në kuadër të projektligjit "Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj", qeveria shqiptare ka propozuar vendosjen e një tarife të re prej 3 lekë për litër mbi produktet energjetike hidrokarbure. Kjo tarifë do të aplikohet mbi sasitë e produkteve që i nënshtrohen detyrimit për pagimin e akcizës sipas ligjit nr. 61/2012, me qëllim sigurimin e fondeve për blerjen, depozitimin dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë së shtetit. Sipas relacionit të projektligjit, rezerva parashikohet të krijohet përgjatë një periudhe 5-vjeçare, periudhë gjatë së cilës efekti total financiar i arkëtimit nga tarifa llogaritet në rreth 200 milionë euro.
Sipas të dhënave orientuese, volumi vjetor i rezervës së sigurisë pritet të jetë nga 43,6 deri në 49 mijë tonë, duke përfshirë naftën bruto, dizelin, benzinën, karburantin për avion dhe gazin e lëngshëm. Kostot vjetore për krijimin dhe menaxhimin e kësaj rezerve nga Autoriteti Shtetëror llogariten në 42 milionë euro, ku 39,4 milionë euro do të dedikohen për blerjen e karburanteve dhe 2,6 milionë euro për shpenzimet e depozitimit. Të ardhurat vjetore nga taksa e re vlerësohen në 3,75 miliardë lekë.
Ekspertët vlerësojnë se kjo barrë e re fiskale do të rrisë çmimin final për konsumatorin. Aktualisht, barra fiskale mbi karburantet në Shqipëri është 53% e çmimit final, ose rreth 90-100 lekë për litër, shifër që e rendit vendin ndër shtetet me barrën më të lartë në rajon krahasuar me Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, ku taksimi përqendrohet kryesisht te akciza dhe TVSH-ja. Niveli përfundimtar i taksës pritet të miratohet përfundimisht me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përditësime
Relacioni i projektligjit përcakton një periudhë 5-vjeçare për krijimin e rezervës së naftës me një efekt financiar total prej 200 milionë eurosh.