Qeveria shqiptare ka njoftuar një projektligj që synon përmirësimin e politikave për strehimin e përballueshëm, duke prezantuar instrumente të reja financiare. Përveç programeve ekzistuese të subvencionimit, projektligji sjell dy nisma kryesore: programin e qirasë me të drejtë blerjeje dhe kreditë me 0% interes.
Programi i qirasë me të drejtë blerjeje u mundëson qytetarëve që pagesat e qirasë t'i konvertojnë pjesërisht në vlerë blerjeje për banesën. Ndërkaq, skema e kredive me 0% interes parashikon mbështetjen e familjeve që nuk disponojnë kolateral ose fonde për pagesën fillestare, duke siguruar garanci shtetërore në marrëveshje me institucionet financiare.
Projektligji identifikon si përfitues kryesorë:
• Familjet me të ardhura të ulëta ose të mesme
• Të rinjtë në fillim të karrierës dhe familjet e reja
• Familjet një-prindërore me fëmijë të mitur
• Punonjësit e shërbimeve publike dhe profesioneve prioritare
• Personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre
• Qytetarët e rikthyer nga emigracioni
Sipas dokumentit, do të lejohet gjithashtu kontraktimi i banesave private të pabanuara nga ana e Autoritetit Kombëtar për Strehimin Social (AKTSS) dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, duke krijuar mundësi për qira afatgjata me garanci shtetërore. Ndryshimet nuk prekin skemën aktuale të subvencionimit të qirave bazuar në çmimet e tregut, ku diferenca e pagesës mbi kufirin e subvencionuar nuk mund të tejkalojë 25% të të ardhurave familjare.
Të dhënat mbi tregun imobiliar në Tiranë tregojnë çmime mesatare qiraje prej 721 euro në muaj, ku për tipologjinë 1+1 çmimi mesatar është 590 euro, ndërsa për 2+1 arrin në 954 euro. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se për çiftet e reja dhe emigrantët, shteti parashikon subvencionim deri në 50% të qirasë, me një limit prej 200 eurosh në muaj për individët përfitues.