Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës së zhvilluar në Tiranë kundër një projekti për zhvillimin e zonës së Zvërnecit. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi se pretendimet e protestuesve bazohen në informacione të pasakta, pasi aktualisht nuk ka asnjë dokument konkret investimi që mund të anulohet.
Sipas Ramës, projekti për këtë sipërmarrje turistike është aktualisht në fazën e hartimit nga pesë studio arkitekturore me famë botërore:
• Kengo Kuma (Japoni)
• Bjarke Ingels (Danimarkë)
• Jean Nouvel (Francë)
• Emre Arolat (Turqi)
• K-Studio (Greqi)
Kryeministri bëri të ditur se projekti do të prezantohet publikisht sapo të jetë finalizuar. Në lidhje me akuzat për ndikim të huaj, Rama sqaroi se bashkëinvestitorët e kësaj nisme në Zvërnec janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Katari, ku ky i fundit është bashkëpronar i konglomeratit Power Holding.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë me forcë aludimet se investimi ka lidhje me Izraelin. Ai kritikoi ata që, sipas tij, po keqpërdorin ndjenjat e qytetarëve me informacione të pavërteta, duke theksuar se investitorët nga Katari vijnë nga një vend që nuk ka asnjë marrëdhënie me Izraelin.