Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura në media dhe rrjetet sociale lidhur me punimet në zonën e Ujërave Termale të Bënjës në Përmet. Në një postim publik, ai ka sqaruar se nuk ka pasur heqje të mureve antike, por është kryer rehabilitimi i një strukture mbajtëse prej betoni, e cila ishte ndërtuar një dekadë më parë.
Sipas shpjegimeve të kryeministrit, muri i mëparshëm ishte amortizuar, ndaj është bërë veshja e tij me gurë nga të njëjtët mjeshtër që kanë punuar në sistemimin fillestar të zonës. Rama theksoi se projekti synon ta shndërrojë Bënjën në një destinacion turistik me standarde më të larta.
Ndërhyrjet janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas dokumentacionit përkatës, fondi limit për këtë investim ishte 209.7 milionë lekë, ndërsa kontrata për zbatimin e punimeve i është besuar kompanisë Ergi SHPK për shumën prej 162.7 milionë lekësh pa TVSH.
Kryeministri ka kritikuar gjithashtu zërat kundër këtij investimi, duke i cilësuar si përpjekje për të dezinformuar opinionin publik rreth një projekti që synon përmirësimin e infrastrukturës në një nga pikat më të vizituara turistike në jug të vendit.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama publikoi fotografi të një dekade më parë për të dëshmuar se muri në Ujërat Termale të Bënjës është një strukturë betoni dhe jo një zbulim antik. Kryeministri Rama sulmoi kritikët e këtij projekti, duke i cilësuar ata si 'korja e mbetjeve të politikës'. Deklarata pasoi valën e reagimeve mbi ndërhyrjet në zonën e mbrojtur.