Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit publik lidhur me projektin e rizhvillimit në Banjat e Bënjës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë hodhi poshtë akuzat për betonizim dhe shkatërrim të këtij oazi, duke e vlerësuar ndërhyrjen si një transformim të nevojshëm për ta kthyer zonën në një destinacion turistik.
Sipas Ramës, projekti ka zgjidhur mungesën e infrastrukturës bazë, duke krijuar hapësira ku vizitorët mund të ecin dhe të qëndrojnë me lehtësi. "Banjat e Bënjës mbrëmë, me energjinë e festës që ndezi këtë oaz natyre e turizmi, ku deri dje ankoheshim, me të drejtë, se s’kishe ku të ecje e as ku të uleshe", shkroi kryeministri. Ai i ka ftuar qytetarët që ta vizitojnë Përmetin gjatë fundjavave, duke paralajmëruar se aktivitetet turistike do të vijojnë.
Projekti ka ndarë opinionin publik. Mbështetësit e shohin këtë investim si një hap të rëndësishëm drejt rregullimit të hapësirave publike dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Nga ana tjetër, kritikët dhe ambientalistët vazhdojnë të ngrenë shqetësime se punimet dhe strukturat e reja mund të cenojnë karakterin autentik dhe ekuilibrin natyror të zonës termale.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama denoncoi zyrtarisht atë që e cilësoi si një fushatë të orkestruar dezinformimi dhe 'inxhinierim digjital' ndaj projekteve të qeverisë. Rama krahasoi ndërhyrjen në Banjat e Bënjës me rastin e Zvërnecit, duke i quajtur të dyja shënjestra të një 'algoritmi të urrejtjes'. Kryeministri publikoi pamje vizuale për të argumentuar se protestat kundër këtyre projekteve bazohen në montazhe dhe manipulime mediatike.