Edi Rama komentoi në podcastin "Flasim" vendimin e Gjykatës Kushtetuese të kësaj jave për bllokimin e përkohshëm të platformës TikTok. Gjykata arriti në përfundimin se qeveria nuk kishte provuar se bllokimi ishte mjeti i vetëm efektiv.
Sipas Ramës, vendimi erdhi "si kofini pas të vjelit", sepse çështja nuk ekzistonte më. Bllokimi, i nisur disa kohë më parë sipas kërkesës së 95% të prindërve dhe mësuesve, çoi në dialog konstruktiv me kompaninë. Kjo e fundit mori përsipër dhe zbatoi masa të reja për audiencën shqiptare, si filtra algoritmikë, verifikim moshe, kufizime ndaj gjuhës së dhunës dhe mbështetje për gjuhën shqipe, e cila nuk ishte më parë në radarin e platformës.
Kryeministri nënvizoi se bllokimi njëvjeçar solli bashkëpunim real me TikTok-un, kompani miliardëshe më të madhe se shumë shtete. Ai përmendi se masa nuk u kundërshtua nga BE dhe se Kushtetuta parashikon mbrojtje të veçantë për fëmijët nga praktikat e dëmshme.
Rama deklaroi se vendimet gjyqësore zbatohen, por mund të komentohen. Ai argumentoi se gjyqtarët dhe prokurorët duhet të përballen me kritikë konstruktive nga opinioni publik, pasi trajtimi i tyre si "lule mos më prek" nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë.