Deputeti i Aleancës Burim Ramadani reagoi pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin me njerëz në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi dhe llogari nga institucionet për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje.
Sipas Ramadanit, raporti evidenton mangësi serioze në luftën kundër trafikimit. Ai përmendi më pak ndjekje penale, dënime të buta dhe viktima që nuk marrin mbështetjen e duhur. Ramadani tha se është e dhimbshme kur shteti nuk arrin t’i mbrojë më të pambrojturit. Ai shtoi se qytetarët kanë nevojë për siguri, drejtësi dhe një shtet që qëndron pranë tyre.
Ramadani tha se do të kërkojë përgjegjësi dhe llogari nga institucionet për dy çështje: çfarë po bëhet për të ndalur trafikimin dhe pse viktimat nuk po marrin mbështetjen e nevojshme afatgjatë. Ai shtoi se këto çështje nuk mund të mbulohen me konferenca dhe deklarata.