Deputeti Ramush Haradinaj, së bashku me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë zhvilluar një takim me Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.
Gjatë këtij takimi, Haradinaj shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin personal të Admiralit Wikoff, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që forcat e NATO-s japin për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Ai vuri në pah se liria e vendit është një vlerë kulmore e arritur në bashkëpunim me aleatët perëndimorë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anëtare të NATO-s.
Në lidhje me aspiratat euroatlantike, Haradinaj rikonfirmoi qëndrimin se lidhja me aleatët mbetet e përhershme, ndërsa anëtarësimi në NATO është një aspiratë jetike. Sipas tij, integrimi i menjëhershëm i Kosovës në këtë aleancë nuk është vetëm një nevojë për vendin, por një hap strategjik që do të përmbyllte sigurinë për të gjithë rajonin.
Përditësime
Admirali George M. Wikoff, Komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, ka zgjeruar vizitën e tij në Kosovë me një takim zyrtar me kryeministrin Albin Kurti, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Komanda e Napolit është përgjegjëse për planifikimin dhe mbikëqyrjen e operacioneve të NATO-s, nga Mesdheu deri në Ballkan.