Raporti i Tranzicionit 2025–26 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me titull "Një botë e vjetër, por më e guximshme", prezantohet sot në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Dokumenti vë theksin te emigracioni në Shqipëri dhe Kosovë.
Sipas raportit, Shqipëria dhe Kosova kanë përjetuar nivelet më të larta të emigracionit të popullsisë në hapësirën post-komuniste që nga viti 1990.
Emigracioni dhe bilanci demografik
Grafikët tregojnë se Shqipëria ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë së vitit 1990 për periudhën 1990–2023, vetëm nga emigracioni neto. Ky është niveli i dytë më i lartë në Europë dhe në grupin e ekonomive të BERZH.
- Shtesa natyrore ka kompensuar rreth 27 për qind të popullsisë së vitit 1990, duke zbutur pjesërisht efektin.
- Kosova ka humbur 50 për qind të popullsisë së vitit 1990, niveli më i lartë në Europë, me shtesë natyrore prej gati 40 për qind.
Raporti vlerëson se një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar nga vendi.
Ndikimi në rritjen ekonomike
Ky boshllëk demografik ka frenuar rritjen ekonomike të Shqipërisë. BERZH mat për herë të parë ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e PBB-së për frymë.
- Për periudhën 2000–2023, kontributi i popullsisë ka qenë negativ, me rreth –0.2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.
- Për 2024–2050, pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, duke e bërë Shqipërinë një nga ekonomitë më të ekspozuara në rajonin e BERZH.
- Për 2050–2100, ndikimi mbetet negativ për shkak të plakjes së popullsisë dhe pakësimit të forcës së punës.
Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi ekonomi.