Në prag të vendimeve të rëndësishme në gjykatat ndërkombëtare në Hagë, Qendra Memoriale e Republikës Srpska ka ndërmarrë një fushatë në rrugët e Nju Jorkut. Nisma, e njohur me emrin "Learn about Serbian suffering" ("Njihuni me vuajtjet e serbëve"), prezantohet si një përpjekje për promovimin e kulturës së kujtesës për viktimat serbe.
Ekspozita përshkon zona të frekuentuara të Manhattan-it, duke përfshirë hapësirat pranë selisë së Kombeve të Bashkuara. Materialet e paraqitura në këtë ekspozitë përmbajnë të dhëna që dokumentojnë vuajtjet e pretenduara të serbëve gjatë Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore, si dhe konflikteve në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990. Fokusimi i ekspozitës është te viktimat në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, duke përfshirë edhe viktimat e bombardimeve të NATO-s.
Kjo fushatë ka shkaktuar reagime të shumta, pasi në narrativën e saj nuk përfshihen krimet e dokumentuara nga gjykatat ndërkombëtare, të kryera nga forcat serbe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Kritikët theksojnë se nisma shmang referencat për gjenocidin e Srebrenicës dhe krimet e tjera të luftës në Bosnje e Kosovë. Sipas vëzhguesve, kjo nismë përfaqëson një përpjekje për të promovuar një version të njëanshëm të historisë, duke lënë në hije përgjegjësitë e regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe forcave serbe.
Nisma është cilësuar si një fushatë propagandistike që përdor kujtesën e viktimave për qëllime politike, duke ndërtuar interpretime selektive të ngjarjeve. Ajo shpërfill kontekstin e gjerë të luftërave dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira në konflikt. Fushata zhvillohet në një periudhë kur proceset gjyqësore për krimet e luftës mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke e mbajtur rajonin e Ballkanit në fokusin e debateve politike dhe historike.