ARRSH bën me dije se sot, më 3 mars 2026, në orën 12:00, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet në aksin Librazhd–Përrenjas. Aksi ishte i bllokuar për 11 ditë si pasojë e rrëshqitjes së dheut në zonën “Arrat e Gurrës”.
Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm dhe mes Korridorit VIII e rrugës ekzistuese të shembur. Kjo zgjidhje funksionon deri në realizimin e plotë të rrugës alternative në shtratin e lumit Shkumbin, të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe përkohësisht është i paasfaltuar, deri në stabilizimin e shtresave rrugore. Pas këtij procesi do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
Devijimi lejon kalimin e mjeteve me tonazh të rëndë, duke respektuar ngarkesën maksimale prej 8.2 ton.
Autoritetet kërkojnë mirëkuptim nga përdoruesit e rrugës dhe banorët e zonës. Ata u bëjnë thirrje të respektojnë sinjalistikën e kantierit dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar sigurinë e qarkullimit.
Përditësime
ARRSH ka publikuar rrugën alternative për aksin Librazhd-Përrenjas, me ngarkesë 8.2 ton për aks. Konfirmimi erdhi përmes postimit në rrjetet sociale të ARRSH.